Secondary Adv

Tenderat publikë, nga 2 dhjetori ndryshon deklarata e konfliktit të interesit

APP njofton se nga 2 dhjetori 2026, të gjitha procedurat e reja të prokurimit publik do të përdorin deklaratën e rishikuar të konfliktit të interesit.

Për të gjithë tenderat publikë që do të shpallen nga data 2 dhjetor 2026 do të përdoret deklarata e rishikuar për konfliktin e interesit. Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka njoftuar ndryshimin për autoritetet dhe entet kontraktore, si dhe operatorët ekonomikë, duke sqaruar se data që përcakton përdorimin e formularit të ri është ajo e shpalljes së procedurës.


Në njoftimin e saj, APP-ja përcakton se deklarata duhet të përdoret “për të gjitha procedurat e prokurimit që do të shpallen nga data 2 Dhjetor 2026 e në vijim”.


Deklarata nuk është një dokument më vete, por përbën “pjesë integrale e Formularit Përmbledhës të Vetëdeklarimit”, i cili përfshihet në Dokumentet Standarde të Tenderit. Ndryshimet në formular janë miratuar me vendimin nr. 06, datë 11 nëntor 2026.


Deklarimi i konfliktit të interesit përfshin edhe zbatimin e kontratës

Krahas rishikimit të formularit, APP-ja ka përditësuar edhe udhëzimin për deklarimin e konfliktit të interesit nga zyrtarët dhe nëpunësit.

Udhëzimi nr. 01, datë 11 nëntor 2026, përcakton fushën e deklarimit si “në procesin e prokurimit dhe zbatimin e kontratës”. Kjo do të thotë se udhëzimi mbulon edhe fazën pas përfundimit të procedurës së prokurimit, gjatë së cilës kontrata zbatohet.


Sipas njoftimit, përditësimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, pas miratimit të ligjit nr. 23/2026 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike.


APP-ja thekson se gjatë rishikimit të akteve është marrë parasysh ndikimi i ligjit të ri në prokurimin publik.


Baza ligjore dhe dokumentet e përditësuara

Për përditësimin e akteve, Agjencia e Prokurimit Publik i referohet neneve 19 dhe 23 të ligjit nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, si dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 285, datë 19 maj 2021, për rregullat e prokurimit publik.


Në njoftimin e saj, APP-ja orienton autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë që të konsultojnë dokumentet e përditësuara në rubrikën “Legjislacioni”, në seksionin “Prokurimi Publik”.


Udhëzimi për zyrtarët dhe nëpunësit gjendet te rubrika “Udhëzime”, ndërsa formulari i rishikuar i deklarimit të konfliktit të interesit është publikuar te “Dokumentet standarde të tenderit”, sipas llojit të kontratës dhe procedurës përkatëse të prokurimit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat